Eco Bicycle

Kur daton biçikleta e parë në Shqipëri..??

Written by albiona mucoimaj

E ka kaluar shekullin që kur në Shkodër u pa të lëvizte rrugëve të saj, sa me kalldrëm e sa gjithë pluhur, një i huaj me një mjet që s’e kishte parë asnjë vendali i padalë jashtë shtetit. Kalendari fiksonte vitin 1907. Ai qe konsulli i nderit i Suedisë, ndaj edhe kush e dëgjoi, u dynd andej nga rruga kryesore ku ai lëvizte që ta shihte me sy atë mjet që ecte mbi dy rrota pa u tërhequr nga kafshët.

 

Me kaq, kurioziteti u shua, po s’u shua lakmia për ta pasur një mjet të tillë udhëtimi dhe kush qe më i kamur e më i dalë jashtë Shqipërisë, nuk ngurroi të sillte biçikleta të markave të ndryshme, më së shumti italiane. Por në kuadrin historik na duhet të përmendim edhe një foto të dy burrave me biçikleta, të nxjerrë nga fototeka “Marubi” e vitit 1897, me veshje kombëtare shqiptare, por që nuk janë të evidentuar se kush janë për t’i dhënë më vërtetësi kohore asaj. Fillimisht biçikleta u quajt “Velisipet”, por edhe dyrrotullake.