Eco Bicycle

Trastat i shpallin “luftë” qeseve

Written by Jetmira Halilaj

U pa që më ligj nuk po bëhej gjë. Kështu hyn në punë kthimi në tendencë. Disa të rinj në Tiranë, kërkojnë rikthimin e trastës… është e shëndetshme. Mund të fusësh në punë rrobat e përdorura  për të qepur një “çantë” origjinale. Ened Mato tregon…

A ju kujtohet trasta e Fiqeretes një javë më parë, pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, që vuri në lëvizje gjithë Policinë e Shteti? U dyshua për bombë, por alarmi ishte fals. Edhe ne sot, do të flasim për trastat, por jo për atë të Fiqeretes, por për trastat që po kthehen në modë në vendin tonë.

Duhet të jenë të shumtë ata që risjellin  në mendje me nostalgji përdorimin e tyre. Ndoshta është  momenti t’i rikthehemi përsëri asaj, pasi bashkëjetesa me qesen nuk ka shkuar ashtu siç duhej. Ideja e parë është hedhur nga ambientalisti Ened Mato, i cili ka hapur një grup në Facebook, “Trasta o nona” dhe kërkon sensibilizimin e njerëzve për përdorimin e saj. Ai, dëshiron që të shohë shumë trasta nëpër duart e njerëzve, ndaj bën thirrje për përdorimin e tyre. Dy vjet më parë, me një vendim të posaçëm të qeverisë u ndalua importi dhe përdorimi i tyre, por sot, ajo ende përdoret. Kur e pyesim Enedin se cilat janë të mirat e trastës, ai e ka gati përgjigjen: “Në fakt janë disa. Trastat mund të ripërdoren shumë herë, ndërsa qeset plastike dhe ato prej letre përdoren vetëm një herë. Trastat janë të përdorshme si për supermarketet, ashtu edhe për dyqanet e veshjeve. Katër deri në pesë trasta që mund të përdoren për 1 vit, do të mund të zëvendësonin 520 qese plastike. Trasta mund të përdoret 51 herë më shumë se një qese plastike”. Në këtë bashkëbisedim me “Ditën” Enedi, flet më shumë pasion për trastën.

Ened, çfarë është “Trasta o Nona”?

Trasta o Nona është nisma për të rikthyer zakonin e bukur të trastës dhe për të nxjerrë në pension qeset plastike. Ne besojmë fort në rikthimin e trastës dhe duam që të rinjtë në veçanti, ta përdorin atë sa më shumë!

4Si erdhët deri tek ideja e trastës?

Ideja e trastës erdhi nga nisma “Unë Ricikloj” dhe nevoja për t’i dhënë një funksion praktik rrobave të vjetra, të cilat në më të shumtën i hedhim ose i lëmë sirtarëve pa i përdorur më. Çdo veshje apo rrobë është deri diku unike dhe kjo e bën dhe trastën që qepet nga këto rroba jo vetëm të përdorshme, por edhe unike.

Çfarë do të mund të përmirësojë trasta në mjedis?

Trasta mund të eliminojë deri në 500 qese në vit nëse do të përdoret të paktën një herë në javë. Kjo do të thotë shumë për lumenjtë tanë dhe grykëderdhjet e tyre, për botën dhe gjallesat nënujore, për mjedisin dhe shëndetin tonë. Ndërkohë që qeset janë një përdorimshe, trasta është përgjithmonë , një zgjedhje e rëndësishme mjedisore që ne bëjmë duke e përdorur.

E kishim harruar edhe si emër trastën. Si është pritur kjo ide atje ku është prezantuar?

Trasta është pritur me buzëqeshje. Shumë prej nesh kanë kujtime të bukura me trastat dhe me dëshirë do ta rikthenin në jetën e përditshme për pazaret, librat apo sendet personale në rastin e vajzave. Ka dhe debate madje, në faqen e trastës në Facebook, për faktin në duhet trasta apo trajsa, që do të thotë ka interes.

Meqenëse po merreni më këtë punë, a ka një historik trasta në Shqipëri. Dhe si u zhduk ajo që shkuam deri te qeset e pafundme?

Trasta ka qenë vërtet nona dikur. Me të mbaroje të gjitha punët. Qeset përveçse nuk ekzistonin as nuk kishin se çfarë duheshin. Në trasta, shumë fëmijë, mbanin edhe librat e shkollës, pasi nuk kishin mundësinë e një çante të mirëfilltë. Kujdesi për trastat dhe përdorimi i tyre në atë kohë dukej edhe te arnat e shumta që forconin trastën kur jepej.

Si mund të sajojmë ne trastat tona?

Trastat qepen shumë lehtë dhe kushdo mund ta përgatisë atë vetë ose t’ia besojë një rrobaqepëseje për vetëm 100 lekë të reja. Mjafton të presësh një bluzë apo t-shirt të vjetër, ta qepësh me formën e trastës, dhe ta gëzosh!

Çfarë dëmesh na sjell përdorimi i tepërt i qeseve dhe letrave?

500 miliardë qese plastike përdoren çdo vit në mbarë botën! Në Angli në 2011 u reduktuan 8 miliardë qese plastike vetëm prej përdorimit të trastës. Mijëra kafshë detare dhe më shumë se 1 milion zogj vdesin çdo vit si pasojë e ndotjes nga qeset plastike. 1 qese plastike kërkon 1,000 vjet për të degraduar!

A mund të kthehet trasta në modë?

Trasta do të kthehet në modë. Nuk do të jetë aq e lehtë, por ne kemi një strategji tonën për ta bërë trend. Trasta ka avantazhin që është e lirë, është unike, ka shumë mënyra për ta personifikuar dhe mbi të gjitha është eko dhe mbron mjedisin.

Kemi parë në rrugët e Tiranës disa libra për fëmijë…dhe ju kemi parë edhe ju aty. Na trego pak, për projektin e librit për fëmijë dhe qëllimin e tij?

Bibliotekat e Vogla Falas për fëmijët, filluan si një nismë për të rikthyer librin te fëmijët dhe për të gjallëruar sadopak këtë qytet të “bukur” ku jetojmë. Po punojmë për të jetësuar 5 biblioteka të vogla falas për fëmijët e vegjël në të gjithë qytetin. Gjithçka filloi nga mbështetja e shumë qytetarëve për të dhuruar libra për fëmijë dhe pjesën tjetër po e bëjmë ne! Duke qenë se dhe bibliotekat publike nuk kanë qenë shumë në formë kohët e fundit, afrimi i këtyre librarive të vogla falas për fëmijët është një risi sa argëtuese dhe edukuese, për fat të mirë të gjithë kemi mundësinë të dhurojmë 1-2 libra për fëmijë dhe kjo ka bërë që bibliotekat e vogla të jenë plot me libra të bukur fëmijësh.  Aktualisht, është një bibliotekë lëvizëse mbi 3 rrota, që shëtit çdo fundjavë kryesisht në zonat dhe lulishtet ku janë fëmijët dhe 2 biblioteka fikse në Parkun Rinia dhe lulishten pranë qendrës së Tiranës.

 

 

5Qesja plastike, armike e mjedisit në mbarë botën

Bota i ka shpallur luftë qeseve plastike që kërcënojnë jetën e specieve të ndryshme të gjallesave dhe që bëhen shkak të ndotjes së ambientit. Çdo ditë dhe edhe më tepër vende nëpër botë marrin masa më shumë për pakësimin e përdorimit të qeseve plastike. Shumë vende, shtete dhe qytete aplikojnë masa si: blerjen e qeseve me lekë ose ndalimin e tyre.  Edhe në Afrikë, Gjermani dhe Kanada, qeset plastike mund të blihen me pagesë. Në Ruandë, Ugandë, Kenia, Tajvan, dhe Indi aplikimet kundër përdorimit të qeseve plastike po japin rezultate pozitive. Republika Demokratike e Kongos është ndër vendet që e ka ndaluar, prodhimin, eksportin, shitjen dhe përdorimin e qeseve plastike.

 

Mos blini bukë me qese plastike

Buka masive, e cila pritet në feta dhe më pas ambalazhohet direkt në qese plastike, kontaminohet nga bakterie të ndryshme dhe humbet vlerat e saj ushqimore.  “Prerja e bukës është e dëmshme për organizimin. Edhe konsumatorët, klientët tanë duhet ta kuptojnë sepse është ndërhyrje mekanike e dhunshme, pas përfundimit të ciklit të plotë të prodhimit të pjekjes. Po ashtu prerja lë mbetje metalike të thikave të bukës dhe prish strukturën kimiko-fizike, ndryshon aromën, shijen. Problemi i bukës së prerë bëhet më i mprehtë, kur futet në qese plastike me mbyllje thuajse hermetike dhe shitet nëpër dyqane pas disa orësh dhe përdoret pas 12 orësh apo më shumë”- thonë specialistët e shëndetit publik. Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit,  qysh dy vjet më parë ka kërkuar heqjen e qeseve plastike dhe përdorimin e qeseve të letrës.

 

Vendimi në shtator 2012, po qese ka boll në qarkullim

Data 1 janar 2013 do të ishte  dita e fundit e përdorimit të qeseve plastike në vend. Qeveria në atë kohë, më saktë, në muajin Mars të vitit 2012,  miratoi një vendim të posaçëm për prodhimin dhe përdorimin e ambalazheve në vendin tonë, pjesë e te cilit ishin specifikisht ato plastike. Sipas vendimit, bizneset ndalohet të prodhojnë ambalazhe plastike duke filluar nga data 1 shtator e vitit 2012, ndërsa doganat u udhëzuan të mos lejonin futjen e qeseve plastike duke filluar po nga ajo datë.

Entela Resuli

Gazeta Dita