Lajme

Sytë sërisht drejt Lurës…

Written by Jetmira Halilaj

Edhe këtë të shtunë aktivist dhe vullnetar iu drejtuan Lurës. Sigurisht me qëllimin fillestar, ta bëjmë Lurën parkun më të bukur në Shqipëri. Takimi dhe grupimi i “ushtrisë mjedisore Ecovolis “, u bë përball pallatit të kongreseve nga ku ishin vendosur edhe mjetet e transportit me të cilët do përshkohej itinerari Tiranë-Lurë. Nisja u bë rreth orës 6 të mëngjesit,sigurisht një orar ky i herët për një zgjim fundjave, por në ndryshim nga pjesa tjetër e qytetit, vend takimi i tyre gëlonte nga energjia dhe pozitiviteti. Ishte ai , Ened Mato, që të gjithë e kanë pagëzuar me nofkën “shpirti i skuadrës”, i cili me fjalë motivuese ringjall tek çdonjëri ndjenjën dhe dëshirën për ta dashur dhe mbrojtur natyrën dhe mjedisin.

eco2

Grupit të shpëtimtarëve të Lurës iu bashkua edhe një nga deputetët e parlamentit shqipëtar, zoti Dashamir Peza, por kësaj here në rolin e një qytetari që do të bëhet pjesë për zgjidhjen e një kauze të drejtë .

bersher

Nuk mund të mungonte as zoti Xhemal Mato, një nga gazetarët mjedisor më të mirë të Shqipërisë që jep ndihmën e tij me njohuritë që ka rreth mjedisit dhe natyrës.

echd

Udhëtimi zgjati rreth 6 orë e gjysmë. U përshkua sërisht e njëjta rrugë , i njëjti reliev malor , terren i thyer, i mbështjellë nga zymtësia e motit që nuk premtonte diell. Infrastruktura e rëndë rrugore bëri që disa nga mjetet me të cilat udhëtonin, të pësojnë defekte të cilat si pasojë kishin ndalesa të gjata dhe probleme në transport. Mirpo dëshira dhe qëllimi ishte më i fortë se rrethanat, prandaj nuk kishte asgjë që ti ndalonte për tja dal mbanë, edhe sikur të duhej që pjesën tjetër të rrugës ta bënin në këmbë. Ashtu të grupuar në makina, ku komoditeti ishte gjëja e fundit që kërkonin, u nisën sërisht për rrugë. Ndalesa e fundit ishte në Fushë Lurë.

13122951_1154323577925645_1486570635357734981_o

Nga aty, grupe të vogla njerëzish u organizuan dhe u nisën në këmbë drejt liqeneve akullnajore të cilët ishin larg në një distancë kohore prej 2 orësh ecje. Gjatë ecjes në rrugët shkëmbore përgjatë malit, moti i zymtë u pasua me reshje fillimisht shiu. Kjo e vështirësoi edhe më shumë rrugëtimin. Duke e kundërshtuar me kokëfortësi vranësirën dhe shiun, ja dolën ta ngjisnin malin dhe të mbërrinin në zonën e aksionit. Pasi u bashkuan të gjitha grupet bashkë dhe pas një bisede të shkurtër të aktivistëve me një nga ekspertët e zonave të mbrojtura të qarkut Peshkopi, vendosën ti drejtohen liqenit të luleve, i cili edhe ky nuk i kishte shpëtuar dhunës mjedisore dhe prerjeve masive në pyllin përreth.

Puna u kordinua duke u shpërndarë secili në zonën ku do mbillte fidanët e tij/saj. Ishin 500 fidanë , të silët u siguruan fal bujaris së Conad Albania e cila vendosi kutit e dhurimit në pikat e saj, ku njerzit dhuruan duke u bërë pjesë e kësaj nisme.

13131234_1154323327925670_6673088718289843993_o

Njerëz që punonin, kazma, lopata, fidanë dhe breshër, ishte kjo panorama që të ofrohej para syve. Mbi kokat e secilit binte breshër e gjëmonte, e nën kokat e tyre fshihej një buzëqeshje si për të ironizuar motin e pamëshirshëm. Duart mbanin shtrënguar fidanët që do ti kthenin jetën Lurës. Shiu dhe breshëri nuk e kishin fuqinë për ti ndaluar ata njerëz të kryenin misionin e tyre pasi përveç liqenit të luleve, iu drejtuan një tjetër zone, liqenit të rrasave i cili kishte të njëjtin fat si liqenet përreth.

bersher4

Moti sa vinte dhe rëndohej, ndërkohë grupet ndihmonin njëri tjetrin të vazhdonin përpara. Motivoheshin me fjalët”edhe pak dhe ja dolëm” ose “forca grupi, breshëri s’na ndal dot”. Kjo zgjonte optimizmin, ndërkohë këmbët dhe duart e baltosura vazhdonin punën. “Kohë e zymtë,fytyra të qeshura” Ishte ky paradoksi i asaj dite. Pasi ja dolën ti mbillnin të gjithë fidanët, ashtu të lagur dhe baltosur por të gëzuar dhe optimist, vendosën të merrnin rrugën zbritëse të malit që i drejtonte për tek restorant Lura për një pushim të shkurtër.

Zbritja shoqërohej me breshër të rënduar dhe pa pushim, si dhe me këngë e ritëm në ecje që minimizonte lodhjen. Ky tipar dallohej deri teksa mbërritën në vendpushim. Pas një pushimi të shkurtër rreth zjarrit , iu drejtuan tavolinës së shtruar për të gjithë  fal bujarisë së Zotit Dod Doci dhe kompanisë së tij “Lura”.

13173266_1154324374592232_727190705144316758_o

Dita u finalizua me dolli dhe falenderime për gjithsecilin si dhe me shprehjen “sot nuk është dita e fundit por është fundi i ditës”. U la të kuptohej që aksione të tjera priten në vazhdim.

13161741_1154324567925546_1276926091586075199_o

 

Kthimi u bë në po të njëjtat kushte sic u nis, por energjia nuk kishte shterruar aspak. Ashtu të lodhur nga moti dhe rruga, qeshnin , gëzonin e qëndronin zgjuar deri në fund të rrugës. Mbërritja në Tiranë u bë fiks në mesnatë me premtimin për njëri-tjetrin se kjo nuk është hera e fundit. Dalëngadal Lura po zbukurohet dhe po merr jetë. Po merr jetë falë optimizmit dhe vullnetit të disa njerëzve të thjeshtë që mbi të gjitha e duan vendin e tyre, e duan natyrën.

Bleona Cara