Jal Kamping Lajme Ti Raporto

Pushtimi dhe shkatërrimi i Gjirit të Vlorës

Ecovolis
Written by ecovolis

Derdhje nafte bruto në det dhe ndotje masive e përsëritur, nga Petrolifera, në harkun e 5 viteve.

Po të shohësh Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM) e Petroliferës thuhet se në rast aksidenti lajmërohet anija nga një port në brigjet perëndimore të Italisë për pastrimin e ndotjes, që përkthehet: le të bëjnë ç’të duan shqiptarët me ndotjen. Dhe kështu po ndodh, po angazhohet Ministria e Mbrojtjes, natyrisht pa ndonjë kualifikim dhe eksperiencë për këto situata. Kurse për derdhjet në hapësirën midis Sazanit e Karaburunit, që është dhe park nënujor i mbrojtur, Petrolifera nuk mban asnjë përgjegjësi, shkruhet në VNM.

Praktikisht, por dhe ligjërisht Petrolifera ka pushtuar një pjesë kryesore të Gjirit të Vlorës, qëkurse ka marrë territorin e Gjirit prej 18 ha dhe rreth 100 ha si zonë e kontrolluar prej saj, pa të drejtë nga shteti shqiptar për të ushtruar aktivitet mbi këtë sipërfaqe. E quajmë pushtim pasi Fatos Nano në bashkëpunim me Sali Berishën i dhanë një farë Ottolengi, koncesion të formës BOO (ndërto-opero-zotëro), dukshëm i vetmi i formës BOO në Shqipëri. Dhe i është dhënë me 1 euro.

Ç’bëri Petrolifera? Shkuli një pjesë të malit të Radhimës dhe e hodhi në det, groposi në det mërkurin e sodës kaustike dhe solli ca depo, që kushedi se nga i mori e gjoja investoi 50 milion euro. Fryu mirë e mirë me TVSH të pajisjeve shtetin shqiptar (kjo duhet verifikuar) dhe ka marrë para nga ndotësi tjetër i madh i vendit (deri në eksplozionin e Marinzës), nga Bankers Petrolium. Po shteti shqiptar ç’ka fituar? Shteti shqiptar ka humbur territor tjetër në Gjirin e Vlorës. Duke qenë se shteti nuk ka pasur para për të rimbursuar TVSH-të e egzagjeruara të Petroliferës, i ka dhënë asaj hektarë të tjera në vazhdim të territorit tashmë të pushtuar me ligj të miratuar nga Parlamenti Shqiptar, ku po punojnë këto kompanitë me para në off shore për zgjerimin e Petroliferës.

Kjo do të thotë jo vetëm zgjerim i territoreve të pushtuara, por edhe më shumë ndotje në të ardhmen. Dhe duhet të dimë se ndotjet nga nafta në det, sipas statistikave ndërkombëtare, vinë në masën 2/3 nga derdhjet e qëllimshme. Tani avash-avash po duket se po bëjnë punë të zgjuar duke planifikuar të marrin gazin që do vijë nga gazsjellësi TAP nga bregdeti i Semanit në gërmadhën TEC i Vlorës, i cili nuk i plotëson dot standardet e emesioneve të gazrave siç i kanë shkruar ata që e vendosën TEC me forcë në Vlorë, në vend që ta vinin tek është a tek kalon nafta a gazi. Dhe kujtojmë se TAP pat deklaruar se për arsye të Gjirit turistik të Vlorës dhe reagimit qytetar atje, ata e ndryshuan gjurmën e TAP nga Vlora në Seman. Ne si mushka e çojmë prapë në Vlorë. Marrëzira pa fund.

Petrolifera nuk ka asnjë rëndësi kombëtare, veçse shkatërron perspektivën turistike të Gjirit të Vlorës. Investimi i Gulf në Porto Romano rrëzon përfundimisht gjoja argumentin e atëhershëm pro Petroliferës si porta hyrëse e Ballkanit e dokrra si këto. Petrolifera është thjesht një aferë qeveritare shqiptare.

Koha për të rishikuar koncesionet skllavëruese të vjetra si dhe ato online është tani.

 

Gazeta Dita

deti i ndotur

About the author

Ecovolis

ecovolis

Leave a Comment