Lifestyle PASS

KUR FJALËT MUNGOJNË

Jetmira Halilaj
Written by Jetmira Halilaj

Ju ka shkuar ndonjëherë në mendje, se ka njerëz në këtë botë që nuk e kanë dëgjuar kurrë në jetë zërin e nënës së tyre. Që nuk mund ti qetësojnë dot nervat duke dëgjuar muzikë. Që nuk mund të kenë një grup rroku të preferuar siç bëjnë adoleshentët e tjerë. Që nuk mund të flasin dot në telefon dhe të bëjnë disa gjëra që për ne janë mëse të zakonshme, pothuajse rutinë.

Po. Ka edhe njerëz të tillë. Ata jetojnë farë pranë nesh, në mesin tonë, pa “bëzajtur” aspak, megjithëse kanë shumë për të treguar. Të tilla janë edhe: Anastasi , Françeska  dhe Maria, tre adoleshente, në pamje të parë si gjithë adoleshentet e tjera, studente në Liceun Artistik “Jordan Misja” në degën e pikturës.

As unë nuk do ti kisha njohur keto vajza, po të mos bëheshin shkak disa punime të tyre (piktura dhe skulptura) të ekspozuara në Galerinë e Artit “Kalo”. Pasi kuratorja e ekspozitës  më tregoi se këto piktura ishin bërë nga disa vajza me aftësi të veçanta, më lindi një dëshirë që ti takoj ato.

Në pikturat e tyre kishte jetë, kishte ngjyra. Shumë ngjyra. Pavarësisht se kanë një aftësi ndryshe nga ne të tjerët dhe bota mund të mos tregohet aq e mirë me to, me sytë e tyre prej artisteje ato e pikturojnë këtë botë të bukur. E duan jetën, edhe pse jeta është treguar jo shumë  e drejtë me to. Duke menduar këto gjëra ndërkohë që shihja pikturat e tyre, dëshira për ti njohur këto vajza më shtohej edhe më shumë.

Për të mos e zgjatur , me ndihmën e një mikut tim të fëmijërisë, arrita të gjej kontaktet e tyre dhe ti bind për tu takuar. Takimin e lamë në orën 3 pasdite tek lokali përballë Galerisë “Kalo“, i cili quhej “Bar Shopen“. (Mesa duket,  e kishte marrë emrin nga sheshi aty përpara që quhet “Sheshi  Shopen” dhe në qendër të tij ka një bust të Frederik Shopen  “Frédéric  Chopin” , kompozitorit të njohur polak).

Shqetësimi i parë i mikut tim ishte: “ Mirë , ja ua mbushe mendjen për tu takuar, por si do të merresh vesh me to?

Një artist, e gjen gjithmonë gjuhën për të shprehur atë që mendon,-i thashë-  dhe ato janë artiste, mos u shqetëso.” Në mendje më erdhi ai parimi i famshëm i semiotikës, që thotë se: “Nuk mund të mos komunikosh”

Megjithëse takimin e kishim lënë në orën tre,mua nuk më mbante vendi, dhe shkova tek vendi i takimit një gjysëm ore përpara. Në pritje të vajzave, teksa pija kafe në verandën e lokalit përballë bustit të Shopenit mendoja me vete: “Çfarë paradoksi! Ato më lanë takim në “Bar Shopen”, dhe nuk e kanë dëgjuar kurrë Shopenin, Valsin e tij te Pranverës.

Me këto mendime në kokë dallova që larg siluetën e mikut tim, që po vinte bashkë me tre vajza. Ato ishin duke biseduar me njëra-tjetrën, dhe herë njëra herë tjetra, bënin shenja me duar dhe tundnin kokën.  Pasi u afruan pak fillova të dalloj lëvizjen në buzët e tyre dhe për një çast e vura në dyshim atë që më tha znj. Kalo tek ekspozita, se ato nuk mund të flisnin dhe dëgjonin. Vetëm pasi i takova kuptova se kishte diçka ndryshe tek kto vajza.

Mu dukën pak të emocionuara dhe të ndrojtura në fillim. Ndoshta ngaqë miku im u kishte treguar se isha student gazetarie dhe siç ma shpjeguan më vonë,  takimi me një gazetar është gjithmonë emocionues, e aq më tepër për to.

Pasi u ulëm, filluam të bisedonim për pikturën, për Liceun, për diellin që ishte në të perënduar dhe kishte marrë një ngjyrë të bukur, po bënim shaka për një tufë qensh që kaluan aty afër dhe për disa turistë kinezë që i shikonin të habitur. Mes të qeshurave për një moment, harrova se ato nuk mund të flisnin.

Gjatë gjithë bisedës, gjithmonë kisha një frikë se mund të thosha pa dashje ndonjë gjë që mund ti lëndoja, dhe përpiqesha të tregohesha i kujdesshëm në çdo fjalë që nxirrja.

Biseda mori një rrjedhë krejt të natyrshme dhe ato filluan të më tregonin për fëmijërinë. Dallohej një shkëlqim në sytë e tyre, kur ato, herë njëra e herë tjetra, mundoheshin me të gjitha nënyrat për të më treguar atë që donin të thoshin.

Anastasia tha se kishte qenë për nëntë vite në një shkollë për fëmijët që nuk dëgjojnë. Aty gjatë një ore vizatimi,  një mësuese e kishte parë atë teksa vizatonte dhe e kishte inkurajuar të merrej me pikturë. “Pastaj, pasi mbarova 9-vjeçaren, prindrit e mij vendosën të më futnin në Lice”

Ndërsa Maria dhe Françeska nuk kanë pasur fatin të ndjekin një shkollë të specializuar për to, sepse familjet e tyre nuk e përballonin dot. Ato kanë ndjekur shkolla të zakonshme bashkë me fëmijët e tjerë, por kjo ka qenë e vështirë për to, sepse mësueset nuk kanë bërë shumë punë të diferencuar me vajzat, për të mos thënë nuk kanë bërë aspak. Megjitahtë,  ato nuk ua hedhin fajin mësueseve. “Ndoshta ato nuk dinin si të sillesin me, nuk na kuptonin, nuk e kuptonin gjuhën e shenjave” –thotë Maria.

Miku im që i ka në  klasë, më tregoi se edhe në Lice profesorët nuk bëjnë ndonjë punë të diferencuar me  to. “Në lëndët artistike ato janë të parat, ti i pe vetë pikturat dhe skulpturat e tyre” –më tha- “ por në lëndët e tjera, matematikë, fizikë, angëlisht, etj. ato rrezikojnë vitin. Kjo nuk është për faj të tyre, por për faj të profesorëve, e megjithatë profesorët nuk duan t’ja dinë dhe i trajtojnë njësoj sikur të mos e kishin atë problem që kanë.”  Këtë gjë e përforcojnë edhe vajzat kur thonë se “profesori na jep vetëm detyrat, ushtrim kaq… faqe kaq… dhe nuk bën asgjë tjetër”

Dhe moskujdesi ndaj tyre, mund të pengojë ëndrrën e vajzave  për të vazhduar Akademinë e Arteve.

“Ato nuk kanë ardhur në Lice që të bëhen gjenij në matematikë. Ato kanë ardhur në Lice që të mësojnë pikturë, dhe përderisa ato janë mirë në lëndët e pikturës, është turp që ti mbetësh në matematikë” – shtoi ai

Teksa unë po bisedoja me Eldin, mikun tim për këto gjëra, sytë e tyre e humbën disi shkëlqimin, dhe ishin të përqëndruara të lexonin atë që thuhej në buzët tona. E kuptova këtë gjë dhe u mundova t’i ndryshoj drejtimin bisedës. I pyeta se çfarë dëshironin të bëheshun në të ardhmen. Dhe përgjigjet e tyre ishin vërtet interesante.

Anastasia më tha se pasi të mbaronte shkollën e lartë, do të donte të punonte në qendrën e fëmijëve që nuk dëgjojnë, dhe të bënte atë që të tjerët nuk e kishin bërë aq sa duhet me të, tu qëndronte pranë fëmijëve që nuk dëgjojnë dhe ti ndihmonte ata.

Ndërsa Maria dhe Françeska, më thanë se do të kërkonin të bënin një provim me shenja për tu futur në Akademinë e Arteve, dhe aty, me anë të pikturës të shprehnin gjithë botën e tyre. Sytë e tyre fituan përsëri të njëjtin shkëlqim. Ato e dashuronin me gjithë shpirt pikturën, dhe donin që në të ardhmen të hapnin ekspozitat e tyre.

Po ec e shpjegoja këtë gjë mësuesës së matematikës, që i kërkon një artisti, dhe aq më tepër një fëmije artist me aftësi të veçanta, të mësojë Teoremën e Pitagorës.  E si mund ti kërkosh një artisti që ta fusë botën e tij aq të madhe në konturet e trekëndëshit të Pitagorës? Apo mos ndoshta edhe mësuesja e vetë e ka të kufizuar botën e saj brenda një trekëndëshi pa kuptim?

Vajzat më thonë gjithashtu se shokët dhe shoqet e klasës sillen shumë mirë me to, nuk ka rëndësi se ato janë pak më ndryshe. “Kemi  shumë shokë dhe shoqen në shkollë. Ata sillen shumë mirë me ne, dhe gjithë kohën bëjmë muhabet dhe gallata bashkë” –thote Françeska

I pyes se çfarë bëjnë në kohën e lire, dhe më tregojnë për pasionet që kanë. Ato bëjnë atë që bën ç’do adoleshent tjetër, lexojnë pikturojnë, dalin xhiro. Françeska thotë se  në kohën e lirë i pëlqen të luajë edhe basketboll.

Pas bisedës vajzat më ftojnë që të shkojme tek Galeria, për të parë punët e tyre dhe për të mi shpjeguar ato. Më tregonin më aq zell punët e tyre, dhe kërkonin që unë të kuptoja ç’do gjë që ato më sqaronin me aq hollësi rreth pikturave. Unë aprovoja ç’do gjë më kokë, dhe ato ndiheshin të kënaqura. Kaluam shumë kohe aty duke parë pikturat dhe me këtë rast unë mësova diçka më shumë rreth pikturës.

Pasi dolëm nga Galeria, ato vazhduan në rrugën e tyre, unë vazhdova  në rrugën time. Biseda me këto vajza më kishte dhënë një dozë shumë të fortë optimizmi. Pavarësisht vështirësisë që kishin, asgjë nuk i kishte ndaluar ato që të ndiqnin pasionin e tyre. Mendova me vete, se një ditë, do të më duhet të shkruaj lajmin për ekspozitën e tyrë të parë. Dhe në atë lajm, unë do të kem shumë për të shkruar, dhe do të di ç’të shkruaj.

Renaldo Salianji

About the author

Jetmira Halilaj

Jetmira Halilaj

Leave a Comment