Lajme PASS

World Vision: 70% e fëmijëve të prekur nga dhuna, nuk raportojnë

Written by ecovolis

70% e fëmijëve janë të prekur nga dhuna në jetën e tyre. Është kjo një prej shifrave më alarmante të publikuara nga organizata Eorld Vision lidhur me dhunën ndaj fëmijëve në raportin e saj më të fundit. Prej tyre, rreth 5% raportojnë nivele të larta të dhunës së vazhdueshme dhe pervasive (të formave të ndryshme). Për ta konkretizuar, shifra 5% në disa nga qytetet tona më të mëdha, sugjeron se janë më shumë se 3.500 fëmijë në Durrës dhe në shumë se 3.000 në Elbasan që përjetojnë rregullisht dhunë. Të dhënat nga “Raporti i Mirëqenies së Fëmijëve 2015” tregojnë se gati tre të katërtat e fëmijëve të varfër dhe më në nevojë në Shqipëri raportojnë të kenë ndeshur dhunë apo abuzim në jetën e tyre, por më pak se 15% ndihen në gjendje për t’ia treguar këtë ndokujt. Sipas raportit të hartuar me intervistimin e mbi 8 mijë personave, (të rritur dhe fëmijë), në shumë nga zonat më të varfëra të vendit, nuk ka mjaftueshëm punonjës për mbrojtjen e fëmijëve për të përballuar nevojën dhe për pasojë, dhjetëra mijëra fëmijë mund të jenë duke përjetuar dhunë dhe abuzim, pa kujdesin e duhur të shtetit.

 

femije dhune

Fëmijët s’raportojnë, të rriturit të painformuar
Ndërkaq raporti i Eorld Vision nxjerr në pah disa probleme të tjera shqetësuese. Shumica e fëmijëve thonë se janë në dijeni të rasteve të dhunës që përjetojnë bashkëmoshatarët e tyre por nuk i raportojnë ato. “70.7 % e fëmijëve raportojnë që janë të dijeni të rasteve të abuzimit, dhunës apo neglizhimit të fëmijëve në komunitetin e tyre. Të pyetur nëse kanë raportuar në rastet kur kanë dyshuar se një bashkëmoshatar i tyre në komunitet përjeton dhunë, abuzim, neglizhencë ose shfrytëzim, vetëm 14.5% e tyre u përgjigjën PO”.
Një tjetër e dhënë shqetësuese është se 50.6% e të rriturve nuk janë në dijeni të ndonjë shërbimi ku të mund të raportojnë në zonën e tyre. Në lidhje me këtë gjetje nuk vihen re dallime gjinore në përgjigje. “Gjatë dy viteve të fundit, si pasojë e reformës administrative dhe territoriale, shumë nga shërbimet ekzistuese janë shpërbërë. Shumë prej punonjësve të njësive të mbrojtjes së fëmijëve u zëvendësuan apo pezulluan nga detyra. Megjithë përpjekjet në nivel kombëtar dhe lokal, për të rianimuar këto shërbime, sistemet nuk po funksionojnë siç pritej. Në nivel bashkie, mbetet e paqartë sesi do të funksionojnë në të ardhmen këto sisteme. Targeti i qeverisë është një punonjës i mbrojtjes së fëmijëve për 3,000 fëmijë. Përvoja jonë dhe shifrat që disponojmë sugjerojnë se realisht jemi larg këtij synimi”- thuhet në raport.

Sipas World Vision, në Durrës ka një punonjës për 75.000 fëmijë, në Elbasan ka një punonjës për 60.000 fëmijë dhe në Kamëz për 40.000 fëmijët që jetojnë në këtë zonë, ku nuk ka asnjë punonjës për mbrojtjen e fëmijëve.

Organizata deklaron se pyetjet që ka përdorur në këtë studim, variojnë nga përvoja me abuzimin, mundësia për të marrë shërbime sociale, përvoja në shkollë dhe përfshirja në jetën e zonës ku të pyeturit jetojnë. “World Vision po i bën këto të dhëna publike me shpresën se shifrat do ndihmojnë për një qasje më të bashkërenduar të shërbimeve sociale, ato të mbrojtjes së fëmijëve, të edukimit dhe të rinisë, për të cilat ka një nevojë urgjente”.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com