Eco Bicycle Ecovolis Lajme Te ndryshme

Hoqëm qeset nga furrat e bukës, por ndotja e madhe vjen nga byrektoret!

Ecovolis
Written by ecovolis

Përgatiti: Anesti Barjamemaj dhe Klara Leka

Plastika është një substance organike që fitohet fillimisht nga përpunimi i karburantit. Një qese plastike zakonisht mund të përdoret për vetëm 30 minuta, por do të duhen 500 vite për t’u dekompozuar. Plastika është rezistente dhe ka lakueshmëri të dukshme, për këtë arsye plastika ka arritur praktikisht nivele aplikimi ne çdo fushë. Biodegradimi që i bëhet plastikes i duhet 500 deri në 1000 vjet. Për këtë arsye ka më shumë se një muaj që Tirana ka nisur një fushatë të iniciuar nga Bashkia dhe e përqafuar nga furrat e bukës.

Në një muaj ka pasur shumë ndryshime, pasi është reduktuar përdorimi i qeseve. Çdo ditë shumë subjekte po përkrahin këtë nismë duke ulur më shumë përdorimin e qeseve. Edhe pse bizneset që po reduktojnë përdorimin e plastikës po shtohen, sërish plastika mbetet një problem shumë madhor. Të parët që e kanë përqafuar nismën e zhdukjes së qeseve plastike ka qenë Shoqata e Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave. Gëzim Peshkopia, në cilësinë e kryetarit të kësaj shoqate në një bisedë na tregoi ecurinë e kësaj nisme dhe atë çfarë pritet të ndodh më tej. Ai tha se edhe pse ka një muaj që nisma ka filluar, nuk kanë rënë dakord të gjithë operatorët. Ai mendonte se duhet vendosur një rregull që asnjë nga furrat e bukës të mos përdori më qeset, interesi i të gjithëve sipas tij është që të hiqet qesja duke nisur nga kufizimi drejt heqjes totale të plastikës.

Sa janë dakord me nismën?

Gëzim Peshkopia gjatë bisedës na tregoi se mbi 800 subjekte kanë rënë dakord për këtë vendim, si grup interesi. Janë 40 kompanitë më të mëdha të Tiranës që ishin në bashki të cilët firmosën marrëveshjen për mospërdorimin e qeses. Por sipas tij ka ende subjekte që e përdorin atë.

A janë hequr qeset nga përdorimi?

Në bisedën me Gëzim Peshkopinë morëm informacione se jo të gjitha subjektet kanë hequr qeset nga përdorimi. Sipas tij akoma nuk janë hequr plotësisht për arsye konkurrence. Këtu del edhe problemi i subjekteve të ngjashme të cilat janë pranë njëri tjetrit, duhet bërë studim për shpërndarje efektive të këtyre subjekteve. Ka shumë të tilla që kanë blerë qese përpara firmosjes së marrëveshjes dhe po heqin mallin që kanë stok, prandaj qeset janë ende në përdorim megjithëse janë reduktuar së tepërmi. “Problemi është shitja e produkteve të bulmetit, mënyra si do mbahen, me letër nuk funksionon sepse letra laget. Kompania “Lufra” ka bërë trasta që do u shpërndahen furrave të bukës, kryesisht do u jepen klientëve të përhershëm”, tha Peshkopia. Sipas tij nga vëzhgimet që ka bërë bashkia dhe shoqata, situata në terren është drejt përmirësimit.

Sa qese përdoren në ditë?

Përllogaritja bëhet me banorë por nuk ka 1 përllogaritje të saktë të banorëve. Në Tiranë janë konstatuar nga mundësitë e përdorimit 1 milion e 200 deri në 1 milion e 500 mijë qese në ditë. Kjo statistikë del nga furrat që janë, sa bukë prodhojnë në ditë, sa byreqe shesin. Tashmë ka kaluar gjysmën e përdorimit, tek buka ka rënie drastike, mbi 80% e përdorimit. Peshkopia shtoi se është edhe problemi i informalitetit, qese që shiten në mënyrë informale, por edhe në fast food-e është e vështirë heqja e qeseve plastike.
Shtrirja e nismës

Që reduktimi i qeseve plastike të jetë në përqindje të madhe deri në zhdukjen e saj, duhet që të ketë një trysni ligjore, po ashtu të shtrihet sa më gjerë në fast-food, byrektore, dyqane ushqimore, jo vetëm në supermarkete. Po ashtu përvoja e Tiranës të shtrihet edhe në rrethet më kryesore.

Bashkia vazhdon shtrirjen e nismës

Të kontaktuar nga Ekolëvizja, përfaqësuesja e Bashkisë Tiranë Diana Mile, në cilësinë e Drejtoreshës së Mjedisit na tha se nisma do të shtrihet në subjekte të ndryshme dhe do të ketë penalizime të atyre që shkelin marrëveshjen. Sipas Miles, bashkia po mendon që fushata të shtrihet në tregjet e fruta-perimeve, duke e bërë me pagesë përdorimin e qeseve dhe në këto subjekte.
Flasin qytetarët

Një qytetare e cila banon në lagjen Vasil Shanto dhe punon tek Parku i Autobuzave, na tregoi se në shumë prej furrave të bukës por edhe byrektoreve qeset janë hequr nga përdorimi. Në subjektet që kjo zonjë shkonte tha se nuk përdorin më qese, si në Vasil Shanto ashtu edhe tek Parku i Autobuzave. Po ashtu një tjetër zonjë që banon tek Nëntë-katëshet na pohoi të njëjtën gjë. Ajo tha se kjo është një nismë shumë e mirë dhe duhej bërë më përpara. Banorët na treguan se në fillim e kishin pak të vështirë të përqafonin këtë nismë, por tashmë ata thonë se duhej bërë më përpara. Zonja që banon në Vasil Shanto tha se tashmë ajo merr me vete trastë prej lecke çdo ditë kur shkon për të marrë bukën.
Flasin shitësit

Por shitësit tregojnë një realitet tjetër, pasi ata thonë se qytetarët kërkojnë ende qese për të marrë bukën. Ne shkuam në një prej furrave të bukës, në të cilën shiten edhe byrek, vërejtëm që përdoreshin ende qese plastike. Shitësja që punonte aty na tregoi se kjo ndodhte pasi shumë njerëz e kërkojnë qesen dhe e blejnë atë. Por sipas shitëses ka dhe shumë klientë të tjerë të cilët janë koshient për të mirën e kësaj nisme dhe nuk kërkojnë qese.

Qeset në byrektore

Nisma e bashkisë Tiranë ende nuk është shtrirë në të gjitha subjektet, duke bërë që problemi të mos jetë eliminuar totalisht. Ne shkuam në një prej pikave ku shiten byrek dhe gjatë bisedës me një punonjëse mësuam se kjo gjë ndodh pasi klientët marrim produktin me vete. Ajo na tha se shumë nga klientët nuk hanë byrekët në ambientet e dyqanit dhe për ta marrë me vete kërkojnë qese. Shitësja shtoi se ajo është e detyruar tu jap qese, pasi byreku gjatë rrugës nëse nuk futet në qese, prishet. Po ashtu ne pyetëm një qytetar , i cili kishte blerë një byrek në afërsi të Fakultetit Historitë Filologji, i cili na tha se ai preferonte që byrekun ta konsumonte në ambientet e shkollës dhe i nevojitet qesja. Ne i sugjeruam që të përdorin letra si formati që jepet buka.

Faktet që qeset përdoren ende, jo të gjithë janë dakord me nismën

Shumë biznese të vogla të tilla si: byrektore, dyqane të vogla, fast food-e (që përdorin shumë shërbimin taxi) dhe pastiçeritë, janë ndër ndotësit më të mëdhenj pasi nuk kanë reduktuar përdorimin e plastikës. Sipas vëzhgimit këto subjekte përdorin me shumicë qese plastike, pasi kanë dhe shërbimin për të dërguar ushqimin në shtëpi, zyra etj. Kjo sipas pronarëve dhe punonjësve të këtyre bizneseve, përdorimi i qeseve është i nevojshëm. Një prej tyre na tha se nuk kanë mundësi tjetër, pasi ushqimi transportohet me motor dhe nëse nuk është në qese ka mundësi të prishet.

Një klient një qese, por edhe dy

Jeta në qytet është shumë dinamike, për këtë arsye shumë njerëz konsumojnë shumë produkte gjatë ditës. Shpesh ndodh që një njeri të shkojë më shumë se një herë në dyqanin afër shtëpisë, punës apo shkollës. Kjo sjell përdorimin e shumë qeseve brenda një dite. Një student na tregoi se ai sa herë që shkon tek fast food-i pranë fakultetit të tij, merr qese. Sipas tij ka raste që mund të përdor dhe tre deri në katër qese në ditë.

Gëzim Peshkopia në fund drejton dy pyetje për këtë nismë: Cili institucion do të monitoroj këtë marrëveshje dhe çfarë masash do të merren për ata që nuk e zbatojnë? Në Shqipëri nuk ka asnjë ligj që të mbroj ndotjen dhe as ta ndëshkoj, si do të bëhet?

About the author

Ecovolis

ecovolis

Leave a Comment