Eco Bicycle Ecovolis Foto Lajme Lifestyle Ngjarjet kryesore Te ndryshme Ti Raporto

Njerëzit e mirë të Shqipërisë dhe një Krishtlindje e bukur!

Ecovolis
Written by ecovolis

Nga Aurora Bega

Profesori im i filozofisë së komunikimit gjatë viteve të Universitetit, të cilit si akademik, por edhe si njeri ia çmoj fjalën, thoshte gjithnjë se tjetrin nuk duhet ta lëvdosh kurrë përballë, bëje në heshtje më pas, pasi ai të jetë larguar. Parimisht e kuptoj logjikën dhe bie dakord me të, se fjalët mikluese për dikë mund të tingëllojnë si jo të sinqerta, apo edhe disi ‘larje-lyerje’ e zakonshme në ditët e sotme. Por, sot në këtë ditë të bukur Krishtlindjeje, kur zemrat e qindra njerëzve në nevojë u mbushën plot me gëzim e hare, unë nuk mund të rri pa e thënë me zë të lartë BRAVO Ecovolis për nismën ‘’Gatuaj një pjatë më shumë’’.

Mua më vjen shumë turp ta pranoj që nuk kisha qenë ndonjëherë pjesë as si vullnetare, dhe as si një qytetare që çon një pjatë për një njeri në nevojë. Herën e parë se nuk isha e informuar dhe herën e dytë për neglizhencë (atë neglizhencën që na karakterizon duke menduar se nuk do ta ndryshojmë ne botën). Kjo ishte hera e tretë që organizohej, dhe për fat të mirë, kësaj here i shtuam një masë më shumë ujë gatimit të drekës dhe e ndamë përgjysmë. Kaq e thjeshtë ishte!

E vërteta është që atje çdo gjë ishte e organizuar, kishte ushqim të bollshëm për të gjithë sepse Ecovolis i kishte marrë masat të furnizohej me gjithçka për të shtruar një tryezë Krishtlindje të gëzueshme për fëmijët, të moshuarit, romë e të bardhë të bashkuar sëbashku, ashtu siç Zoti na udhëzon. Por të çoje një vakt të ngrohtë, më shumë sesa ata, të lumturon ty sepse ndjen që solidarizohesh, që bashkohesh dhe feston sëbashku.

Nuk kishte skena ‘show’ atje, askush s’përpiqej të binte në sy përpara kamerave. Djemtë dhe vajzat vraponin me pjata në duar dhe me atë thjeshtësine e fytyrës kur tjetrin e sheh si të barabartë me veten, as më lart e as më poshtë. Në fillim, njerëzit e ulur rreth e përqark sheshit në tavolina të rregulluara mirë, m’u dukën pak fytyrëngrysur, ndoshta për shkak të jetës së vështirë që kanë, a ndoshta prej atij sikletit që ka gjithnjë njeriu kur është në nevojë, por dalëngadalë nën tingujt e muzikës shqiptare dhe mes shumë njerëzve të tjerë, të cilët kishin ardhur për t’u bashkuar me ta, ata filluan të çlirohen e argëtohen pa masë.

Kur isha larguar nga sheshi ‘‘Nënë Tereza’’, diku afër shkollës ‘‘Vasil Shanto’’ dëgjova një çift romë që nxitonte duke shtyrë karrocën me një fëmijë, ndërkohë që dy të tjerë i mbanin përdore duke i thënë njëri-tjetrit: ‘ Hajde moj se ka Krishtlindje te liqeni…aty afër’, – ‘ça thua mo, po ne kush na pranon?!’ – ‘Po nxito moj se është për ne Krishtlindja’. Nxitova hapat drejt shtëpisë dhe zemra më gufoi nga kënaqësia. Kishte qenë një ditë e lume!

Duke i kërkuar ndjesë Ecovolis për këtë lëvdatë publike, unë besoj se shembujt e mirë, pavarësisht se e kryejnë punën e tyre në heshtje, me modesti e me zemër, media dhe shoqëria ka për detyrë t’i përmend për të frymëzuar gjëra të tjera të bukura, si kjo Krishtlindje e mrekullueshme.

Bravo Tirana! Sot e tregove sërish veten! Qyteti me zemër të madhe, FALEMINDERIT! Vendi Nënë Terezës këto gjëra ka! #Solidaritet #Qytetari #Dashuri 👏🇦🇱

About the author

Ecovolis

ecovolis

Leave a Comment