Lajme

Shpresë edhe për Lurën, mbillen 500 fidanë pishash!

Ened Mato
Written by Ened Mato

Lura ecovolis

Ajo çfarë ka ndodhur pas viteve ’90 të shekullit të kaluar në parkun natyror të Lurës, ka qenë e tmerrshme. Një masakër në prerjen e mijëra hektarëve pyje kryesisht pisha, në një sipërfaqe prej 40 mijë hektarësh. Pamjet ekskluzive të kameras se Report tv trondisin.

Ambientalisti Xhemal Mato thotë se pas viteve ’90 parku i Lurës u kthye në një ndërmarrje pyjore, në vend të një parku natyror.

“Në Lurën e trashëguam pas viteve 90 si një nga parqet më të bukura jo të Shqipërisë por të Ballkanit, ka qenë një nga mrekullitë e gjithë kësaj zone. Jo se e them unë por e thonë shumë biologë dhe gjeograf të huaj. Aq sa kur u zbulua nga gjeografët e huaj, ata kanë shtënë 5-6 herë me armë si një shenjë e mrekullisë së natyrës. Pas viteve ’90 filoi shkatërrimi dhe shfrytëzimi i Lurës për dru. Aq e dhimbshme ishte mënyra se si parku më i mirë, shfrytëzohej për t’u prerë dhe hynin deri në 16-20 makina në ditë që mbusheshin me dru dhe u kthye në një ndërmarrje pyjore në vend të një parku kombëtar të kategorisë së parë. Kjo ishte një alarm i madh që ne vazhdimisht e kemi përmendur se Lura po shkatërrohet por s’arritëm dot ne si gazetarë por edhe të tjerë, se mbrojtën dot Lurën,” shprehet Mato.

Fundjava mblodhi në parkun Natyror Kombëtar të Lurës mbi 200 vullnetarë, të cilët në një aksion model organizuar nga Ecovolis dhe disa shoqata të tjera, nen sloganin “Të gjithë për Lurën” sfiduan për të dytën herë relievin e thyer në një zonë malore 1700m metër mbi nivelin e detit. Qëllimi i aksionit, mbjellja e 500 fidanëve të rinj pishash pas katastrofës së prerjes së pyjeve nga banditë të veshur me pushtet.

Ndërsa drejtuesi i Ecovolis thotë ishte pasioni për pemët dhe Lurën, ai që i mblodhi në këtë aksion.

“Ajo dihet që është bërë një masakër mjedisore dhe vetë banorët e  shohin që kjo masakër po i dëmton jo vetëm nga ana e turizmit po i ka izoluar tërësisht. Për pjesën e përgjegjësisë institucionale po kuptojmë prit gomar të mbij bar, se masa s’po merren dhe në këtë aspekt menduam të organizohemi vet. Pasioni për pemën dhe për Lurën s’na ka munguar. Të gjithë jemi rritur me një Lurë të mrekullueshme. Jemi sot me 500 fidanë, do kthehemi prapë me 500 fidanë të tjerë. Jemi të vendosur ta bëjmë Lurën siç ishte dhe të sigurohemi që dhe vet banorët ta mbrojnë. Objektivi kryesor është që t’i përfshijmë banorët. Pa banorët e Lurës kjo është e vështirë të qëndrojë. Nga ana tjetër nisma dhe dëshira në Tiranë është shumë e fuqishme që kjo të finalizohet,” shprehet Ende Mato.

Drejtuesi i nismës “mbill pemën tënde”, Eljan Tanini thotë se  Parku i Lurës duket si një fantazmë e mbushur me pemë të prera e të lëna aty.

“Është e çuditshme që përveçse i kanë prerë pemët, janë të lëna atje. Duket si një varrezë me fantazma pemësh ku askush nuk kujdeset më për to. Tani çohen disa të rinj dhe u teket të mbjellin disa fidanë në Lurë ndërkohë që ministria nuk bën asgjë, për të bërë disa eksperimente të thjeshta për të parë nëse do jetojnë disa fidanë më pak ose më shumë,” thotë Tanini.

Ndërsa aktivisti Arbër Çepani e shek aksionin e vullnetarëve si një mesazh që tregon se Shqipëria mund të bëhet një vend më i mirë.

“Më vjen mirë që shoh kaq njerëz që po angazhohen këtu, që po japin një shpresë të re jo vetëm për Lurën. Që po japin një mesazh bashkëmoshatarëve që po tregojnë jo vetëm me 500 fidanë por me shumë dashuri që ky vend mund të bëhet dhe janë njerëz që po tregojnë se Shqipëria më në fund mund të bëhet një vend më i mirë,” thotë ai.

Në mbështetje të ecovolis në aksionin për ripyllëzimin e Lurës ishte edhe kompania Lura, ku presidenti i saj Dod Doçi thotë se ndihet i fyer nga masakra që i është bërë Lurës.

“Ka pas një thënie të Fishtës që thoshte nëse s’ke parë Lurën, s’ke parë bukuri natyre dhe ne sot jemi në Lurë që të shikojmë atë Lurën më të bukur që ka qenë dikur.”

Në aksionin e zhvilluar në parkun e Lurës, veç vullnetarëve dhe disa përfaqësuesve  vendor ra në sy mungesa e  deputetëve të qarkut e përfaqësuesve të ministrisë së Mjedisit dhe politikbërësve të tjerë.

“Politika është ajo nganjëherë që lejon shkatërrimin e një pasurie kaq të madhe por është ajo që duhet ta ndryshojë këtë situatë. Prandaj ka shumë rëndësi dhe ndikimi i politikës dhe shtytja e politikës për ta përmirësuar situatën dhe për ta mbrojtur Lurën,” mendon ambientalisti Mato.

Drejtuesit e Ecovolis, përsëritën se aksione të tilla që i kapërcejnë kufijtë lokal do të gjejnë një shtrirje edhe më të gjerë përtej Tiranës si në rastin e Lurës, ku të rinjtë do të mbjellin mbi 500 fidanë pishash për ripyllëzimin e parkut natyror. Report Tv do të sjell së shpejti në Veri-jug një reportazh kushtuar ripyllëzimit të Lurës.

About the author

Ened Mato

Ened Mato

Leave a Comment