Eko Kopshtet

Biçikletat, Riciklimi & Energjia Diellore në Kopshte!

Ecovolis fillon zbatimin e nismës së Kopshteve Ekologjike! Janë përzgjedhur tashmë 5 kopshtet e para në të cilat do të zbatohet modeli ekologjik sipas Ecovolis. Nisma synon të edukojë një brez ndryshe me dashurinë dhe ndjeshmerinë për mjedisin, me aktivizmin dhe motivimin për ta mbrojtur në të ardhmen, për ta rikthyer në shtëpinë e bukur të të gjithëve!

 

 

Çdo kopësht fëmijësh do të ketë stacionin e tij të biçikletave, këndet e riciklimit dhe shtëpizat e vogla model i energjive të pastra, pajisur me panele diellore. Edukimi mjedisor që në vegjëli nëpërmjet modeleve praktike të trasnportit të gjelbërt, të energjive të pastra dhe riciklimit do të sjellë një ndryshim të madh në të ardhmen — shprehet drejtuesi i kësaj nisme Ened Mato.

Sipas Ecovolis këndi i biçikletave, ngelet edhe më i dashuri për fëmijët! Në të ndodhen plot 10 biçikleta fëmijësh të cilat nuk ngelen asnjëherë në vend, përkundrazi ka një rradhë që e shoqëron gjithmonë. Këndet e Riciklimit, së bashku me kitet e riciklimit janë ndërtuar në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme për çdo moshë, madje më shumë në formën e një loje. Nuk mbetet pas as shtëpiza energjive të pastra, e ndriçuar me panele diellore. Qytetarët ekologjistë të së nesërmes, falë EkoKopshteve po e nisin rrugëtimin e tyre që sot drejt të ardhmes së gjelbër e miqësore.