Lajme

Makinat që rrezikojnë nga kolaudimi prej 1 korrikut

Written by Jetmira Halilaj

Nga 1 korriku automjetet do ta kenë më të vështirë të kalojnë testin e kolaudimit. Normat e shkaktimit të gazrave do të ulen dhe mijëra autovetura do të penalizohen. Vetëm për 4 muajt e parë të këtij viti afro 10 mijë mjete nuk e kaluan testin në 108 mijë të kontrolluara, për shkak të normës së lartë të çlirimit të gazrave.

Megjithatë qeveria do t’i qëndrojë planit për t’i ulur edhe më tej normat, duke bërë që të penalizohet një numër më i madh automjetesh. Ulja do të jetë për t’i përputhur normat 100 % me ato të Bashkimit Europian.

Por teksa qeveria projekton standardizimin e penaliteteve me BE –në përsa i përket normës së çlirimit të gazrave për automjetet, nuk ndodh kështu me cilësinë e naftës dhe benzinës. Në pjesën më të madhe të makinave të skualifikura nga kolaudimi, shkak kryesor konsiderohet cilësia jashtë standardeve e karburanteve.

Qeveria ndërmori vitin e shkuar një aksion kundër abuzimeve me karburantet. Kryeministri paralajmëroi një reagim të ngjashëm me atë kundër vjedhjes dhe abuzimeve me energjinë elektrike. Por për këtë aksion nuk është folur më. Të dhënat e mëvonshme të një hetimi të prokurorisë zbuluan se në kulmin e aksionit një kompani kishte tregtuar 4.4 milionë litra naftë të papërpunuar.

Konsumatorët dhe grupet e interesit vazhdojnë të ankohen se cilësia e naftës dhe benzinës në Shqipëri vijon të jetë jashtë standardeve.

Me uljen e normës së shkarkimit të gazrave, pikërisht për shkak të cilësisë së dobët të kraburanteve, numri i makinave që rrezikojnë të ngelen në testin e koaludimit, pritet të jëtë shumë më i lartë se ai i 4 muajve të parë të këtij viti. /Lapsi.al