Eco Bicycle Ecovolis Lifestyle Te ndryshme

Plani i Ened Matos: “Për një qytet që kërkon ajër të pastër!”

Written by ecovolis

Tirana sot mendohet të ketë 600-800 mijë banorë. Sipas Bashkisë në të qarkullojnë mbi 200 mijë automjete, të cilat i japin qytetit ndotje deri në tre hër më të lartë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian. Përballë kësaj situate zgjidhja është mundësimi dhe promovimi i përdorimit të lëvizjeve alternative, të cilat janë miqësore me ambientin. Automjetet elektrike janë një pjesë e zgjidhjes, por kostoja e lartë e tyre si dhe nevoja për ndërhyrje të tjera në infrastrukturën rrugore e bën një synim të rrafshit afatgjatë për vende si Shqipëria. Kështu zgjidhja më e thjeshtë dhe me më pak kosto mbetet biçikleta.

Dyrrotaku në fakt është mjeti më i efektshëm në raport me koston, kohën dhe benefitet shëndetësore që i ofron njeriut. Në Tiranën kaotike që ne jetojmë përditë, ka qenë e lehtë të identifikoje lëvizje të tipit Ecovolis, që prej vitesh ka thyer plot tabu për sa i përket vullnetarizmit dhe rikthimit të biçikletës në “modë”. Por për çfarë premton “të luftojë” fort Ened Mato, tashmë jo vetëm si drejtues i Ecovolisit, por edhe në detyrën e Kryebashkiakut të biçikletave:

Së pari. Lidhja gjatësore e skajeve të lumit Lana me korsi biçikletash. Fillimi i “Bulevardit Zhan D’ark” me fundin e “Bulevardit Gjergj Fishta” – segmenti nga Brryli te pallati me shigjeta. Enedi thotë se “ky segment gjithsej është 4 kilometra, le ta quajmë “Superstrada e biçikletave”. “Në të dyja krahët e Lanës t’i heqim pllakat dhe ta shtrojmë me asfalt, ta bëjmë korsi biçikletash, plus pistë vrapi. Kështu me shpejtësinë e një çiklisti, për 12 minuta, mund të shkohet nga rruga “Ali Demi” deri në Kombinat” këmbëngul ai.

Së dyti. Kësaj “Superstrade” Enedi mendon se do të ishte tejet me vend “t’i bashkohet edhe një segment që e lidh atë me Qytetin Studenti dhe gjithë universitetet përreth”. Duhet theksuar se aboneja e parë që mbaron në qarkullim është ajo e studentit dhe nevoja për të lëvizur më tepër në qytet është pikërisht e kësaj kategorie. Prandaj rreth 10 mijë studentë, “do ta kenë më të lirë koston e tyre të jetesës nëse ua mundësojmë që të lëvizin me biçikleta”.

Së treti. Një nga kategoritë e qytetarëve që përdor më së shumti makinën, është ajo e punonjësve që lëvizin drejt zonës industriale, pra përtej “Sheshit Shqiponja”. Në këtë grup përgjithësisht qytetarët udhëtojnë me automjetet e tyre dhe trafiku që gjenerohet në orët e para të ditës është rezultat pikërisht i kësaj nevoje për lëvizje. Enedi thotë se “një korsi e dedikuar biçikletash përkrah rrugës dytësore të autostradës drejt Rinasit do të ishte një alternative e përkryer”. Sipas tij aktualisht hapësira krah rrugës atje është me një trotuar prej rreth 3 metrash, që për momentin përdoret pak nga këmbësorët dhe më tepër për parkim”. Një korsi biçikletash e tillë do t’i kursente kohë të gjithëve për të shkuar në punë, do t’u shkurtonte atyre shpenzimet dhe nga ana tjetër do ta pastronte qytetin nga trafiku.

Së katërti. Ajo për të cilën ka dalluar më së shumti këto vite Ecovolis, ka qenë pikërisht puna edukative kundrejt brezit të ri. Enedi premton se edhe tani me këtë detyrë të re “nuk do të heqë dorë nga edukimi në shkolla, kopshte, çerdhe, rrugë për një të ardhme më të shëndetshme”. Ai thekson se “nga akademia dy rrotakut, dhurimi i bicikletave, pedalimi i sigurt dhe gjithçka tjetër bëjmë prej 10 vitesh tashmë do të vazhdojë më tej! Si Aktivista do mbrojmë korsitë dhe sinjalistikën e biçikletave në çdo projekt rruge jo vetëm brenda qytetit por dhe në rrugët ndër-urbane”.
Por çfarë është “Kryebashkiaku i biçikletave”?

“Kryebashkiaku i biçikletave” u ideua rreth dy vite më parë në Holandë dhe gjeti menjëherë mbështetjen e shumë vendeve të tjera anë e mbanë botës. Amsterdami ishte qyteti i parë, më pas iu bashkuan mbi 25 kryeqytete të tjera – tanimë edhe Tiranën – duke kulmuar me një konferencë ndërkombëtare, e cila u mbajt vitin që shkoi. Kjo konferencë bashkërendoi një objektiv të përtejkufijshëm, objektiv i cila u pagëzua si “50by30”, që do të thotë që deri në vitin 2030, së paku gjysma e lëvizjeve në qytetet kryesore të botës të bëhen me biçikleta.

Por çfarë është Kryebashkiaku i biçikletave? Lëvizja me biçikleta cek aq shumë çështje anë-e-mbanë qytetit saqë një autoritet institucional i zakonshëm, e ka të vështirë t’i pikasë, t’i tutelojë apo t’u gjejë zgjidhje, kjo pa i burokratizuar, mënjanuar apo dhe politizuar ato. Prandaj dhe nevojitet një figurë si ajo e “Kryebashkiakut të biçikletave”.

Kjo figurë është fytyra e parë e një çiklisti të qytetit. Avokat i interesave të përbashkëta që synojnë promovimin e një qyteti miqësor ndaj dyrrotakut. Ideator i nismave dhe aktiviteteve pro-lëvizjes me biçikletë. Promovues i aspekteve pozitive që sjell përdorimi në masë i biçikletave. Promovues i politikave që e mundësojnë këtë synim. Frymëzues i gjithkujt në qytet që të përdorë biçikletën. Një urë lidhëse mes qytetarëve, të cilët përdorin këtë mjet lëvizës në përditshmërinë e tyre, me këdo që ka në dorë politikat dhe vendimmarrjen.
Përpjekjet e “Ecovolis” për një qytet me më shumë biçikleta.

Nën drejtimin e Ened Matos, Ecovolis i solli Tiranës organizimin e parë dhe më energjik të vullnetarizmit dhe modelit të qytetarit aktiv. Idetë para – ndër më kryesoret – kishin të bënin me biçikletat. Që prej vitit 2010 me organizimin e katër stacioneve në qytet me dhjetëra biçikleta në secilën prej tyre, Ecovolis solli për herë të parë përvojën e “bike-sharing” dhe gjithçka u prit mjaft mirë nga qytetarët e Tiranës. Numri i anëtarësimeve i kaloi 2 mijë, por lëvizja nuk u ndal këtu.

Shpejt u nisën fushatat edukuese për fëmijët, ndërsa çdo të premte u organizuan protesta simbolike për të liruar korsitë dhe për të tërhequr vëmendjen e pushtetarëve për më tepër politika kushtuar lëvizjes alternative dhe miqësore me mjedisin. Korsi të dedikuara! Infrastrukturë e sigurt për lëvizjen dhe mundësi shërbimesh për përdoruesit e biçikletave.
Protestat “Liro korsitë” gjetën shpejt përkrahjen e qytetarëve dhe për më tepër se tre vite kishin të njëjtin itenerar pedalimi: “Sheshi Nënë Tereza”; Bulevardi Dëshmorët e Kombit; ndalesë përpara institucioneve të ndryshme si Bashki, apo Ministri e Transporteve e më tej deri në fund të “Bulevardit Zogu i I”.

Kush është Ened Mato?
Ened Mato u lind në Tiranë më 27 tetor 1980. Ai vjen nga një familje dashamirëse ndaj natyrës. I ati, Xhemali, është që prej vitit 1978 gazetar, regjisor dhe aktivist i mirënjohur i ekologjisë. Prej tij ka trashëguar pasionin dhe energjitë për t’u marrë me çështje që kanë të bëjnë me mjedisin.
U arsimua në Itali, në Bolonja, për juridik dhe më pas në Shqipëri në Universitetin e Tiranës ndoqi studimet për punë sociale. Më tej është aftësuar në plot programe dhe specializime brenda dhe jashtë vendit, si Spanjë apo Austri.
Që pas kthimit prej studimeve në Itali, Enedi u angazhua fort në çështje publike. Si aktivist i zellshëm në mbrojtje të të drejtave të njeriut gjithmonë ka qenë përkrah komuniteteve të margjinalizuara rom dhe egjiptian. I vlerësuar me plot çmime për vullnetarizëm në vitin 2010-të themeloi Ecovolisin, të parin komunitet të bicikletave të këtij lloji në Shqipëri.
Që prej vitit 2000 është organizator i një sërë fushatash sensibilizuese si “Dita e Tokës”; “Dita pa makina”; “Dita e qyteteve të pastra”; “Ditës Evropiane të plazheve të pastra” etj. Organizator i lëvizjeve ndërgjegjësuese për të mbrojtur Gjirin e Vlorës (viti 2003); për të nxitur mbrojtjen e mjedisit në Durrës (2007). Organizator i fushatave të pastrimit të Rivierës; Kepit të Rodonit; i fushatës “Të pastrojmë lumenjtë” etj. Organizator i fushatave të mbrojtjes, mbjelljeve dhe ripyllëzimit në parkun e Lurës; Shebenikut dhe shumë nisma të tjera të ngjashme të të njëjtit synim.

Po kështu në momente fatkeqësish natyrore, si për shembull përmbytjet në jug, në Shkodër apo të daljes së Lumit të Tiranës nga shtrati, së bashku me aktivistë të Ecovolis ka organizuar gjithmonë fushata për t’u ardhur në ndihmë fatkeqëve.
I apasionuar pas zhytjeve dhe i dokumentarëve për mjedisin dhe botën nënujore. Themelues i klubit sportiv “Nënujsat” dhe i një sërë lëvizjesh pro-zhvillimit të dokumentarëve, si “Eco-Cinema”, “12 Hour-Film, (2002-2007) etj. Promotor dhe dashamirës i eko-turizmit. Drejtues i projekteve eko-turistike si “Jal-Camping” apo “Village Portopalermo”.