Eco Bicycle

Si mund të mbrohet kurora e gjelbërt në një qytet të pangopur në ndërtime?

Written by Alisa Peci

Kur flet për hapësira publike në Tiranë, ngjan si jashtëtokësor. Veçse nuk ka ngelur asnjë pronë shtetërore pa u kthyer në truall, të pretendosh që kodrat nuk do ndërtohen është romanticizëm i sëmurë.

Si arritëm deri këtu ? Të ndërtosh në kodrat e liqenit të duket gjëja më normale?

Të dielën me biçikletë drejt lapidarit ishte e vetmja mundësi në pak kohë për eskursion këtu afër. Ngjitja nuk të lodh sa të dëshpëron.

Në krahë të majtë të luginës anës kodrave një masë e madhe pallatesh të sapondërtuar , që vazhdojnë në ngjitje të kodrës, të jep një trishtim të madh të tradhtisë që Qeveria dhe Bashkia i kanë bërë kurorës së gjelbërt të qytetit.

Nuk jam një urbanist as arkitekt , por një qytetar që ka jetuar edhe në Bolonja për 2 vite. Si student në Bolonja shëtisja nëpër kodrat e bukura të qytetit në fundjavë dhe ishte momenti më i bukur.

Kodra të paprekura nga urbanizimi ruanin shtëpitë e vjetra tek tuk restauruar sipas traditës me rrugë kalimi kudo. Dhjetëra shtigje të hapura për këdo kalonin poshte lart kodrës në pllaja të bukura , në sheshe për balona, në stola ku sodisje qytetin me një libër, në parqe të bukura dhe të kujdesura. Pra nëse doje natyrë në Bolonja përvecse cdo lagje kishte 2-3 parqe, kishe dhe te gjitha kodrat lart te virgjera dhe të aksesueshme nga të gjithë.

Patjetër kishte dhe vila në rrëzë të këtyre kodrave , por nuk kanë asnjë ngjashmëri me vilat e kodrës sonë, ku mure 3 metroshe, me kangjella hekuri larte , me sisteme sigurie dhe kamera te japin përshtypjen e një lagje në arrati dhe kërkim të vazhdueshëm. Nëse mendon se do të gjesh shkrimtarë, akademikë, personalitete të kombit, gabohesh këtu duket si një lagje e tërë që po ruhen dita ditës nga diçka.

Tokat të gjitha janë të rrethuara me pronarë tashmë. Shumë parcela me ullinj as nuk preken më fare, ka vajtur fieri mbi ullinj . Ato presin thjesht lejen të priten dhe të ndërtohen. Vëndet e tjera duket që Bashkia i ka dorëzuar. Ato janë o kosha mbeturinash, inerte dhe mbetje vizitorësh, o zona të rrethuara për ndërtim.

Kodrat e vijës së parë në Tiranë thuajse janë në mbarim. Mbas kodrës së Diellit ku po ndërtohet pa pushim, edhe në këtë luginë ndërtimet po i ngjiten kodrës, dhe nga liqeni i thatë nuk ka një kufi. Duket sikur urbanizimi në kodrat e Tiranës do të jetë akti i fundit i lavatrices së ndërtimit.

Në një botë ideale, bashkia dhe qeveria duhet ti vinin kufirin urbanizimit dhe kodrat të qëndronin të gjelbërta, me shtigje për shëtitje dhe piknike. Sic e kanë të gjitha vëndet me logjikë qytetare. Në një politikë përca e ndërto, kodrat I takojnë ndërtimit që nuk ka asnjë ndjenjë dhe logjikë nga të gjitha këto që po flasim.

Tirana kishte një plan për kurorë të gjelbër, një hapësirë e paprekur e gjelbërt rreth qytetit, me kufijë të ndarë dhe të lënë jashtë zhvillimit. Kjo është gjëja më normale në një qytet që po mbytet nga mungesa e hapësirës, ndotja e trafikut, ndërtimi i pafre.

Por një shterpësi në ide, në planifikim, në ekonomi po vret dhe kodrat e fundit të tiranës.

Më poshtë foto të rrethinës në Tiranë dhe në Bolonja