Nuk është e vështirë që t’i përgjigjesh kësaj pyetje kur sheh situatën e përditshme në çdo lagje të Tiranës, e kur gjëndja emergjente në të cilën ndodhemi vihet shumë herë më tepër në dukje, në ditë të tilla si ajo e 20 Nëntorit ngjarja kryesore e së cilës ishte aksioni “Ta pastrojmë Shqipërinë”
Dy nga zonat më të ndotura në Shqipëri ishin piketuar të pastroheshin dje nga mbeturinat e panumërta, ku njëra pikë ndotet si rrjedhim i tjetrës. E kemi fjalën këtu për pikën më të ndotur në Tiranë: Bregun e Lumit që ndodhet te Ura e Babrusë, i cili i përket lumit të Lanës dhe pika e dytë ishte grykëderdhja e Ishmit në Durrës.
ana është degë e lumit të Tiranës, i cili kalon përmes qytetit të Tiranës dhe vëndburimin e ka në pjesën perëndimore të Qafës së Priskës. Në hyrje të Tiranës, Lana rrjedh në një kanal të sistemuar betoni ku sapo hyn në qytet ky lum fillon të shëndërrohet në “Lumin e Mbeturinave”. Mbetje të cilat sa vijnë e shtohen për çdo metër e më shumë.
Pikërisht në Bregun e Lumit ishte, është dhe do të jetë një katastrofë mjedisore nëse nuk merren masa për t’a pastruar urgjentisht.
Mbeturina që i sjell lumi dhe mbeturina që derdhen aty nga vet banorët e zonës. Rezultati një pamundësi totale për tu pastruar, vetëm me doreza, qese e maska për të mos thithur erën e tëmerrshme që gjeneronte vendgrumbullimi i mbeturinave.
Gjithë individët e angazhuar për ta pastruar vullnetarë dhe jo vetëm demoralizoheshin sapo shihnin atë gjëndje e cila kishte patjetër nevojën e mjeteve përkatëse që të pastrohej.
Duart e njerzve e kishin ndotur shumë kollaj ndër vite atë zone, e tashmë këto duar ishin të paafta për ta rehabilituar sërish. Në këtë pikë realiteti fliste vet, kostoja për të pastruar këtë zonë aq kollajshëm të ndotur ishte shumë e lartë jo vetëm për autoritetet kompetente që duhet të merren me këtë gjë, por edhe për vet banorët e zonës të cilët me duart e tyre kishin mbjell sëmundjet dhe infeksionet e së përditshmes së tyre.
Kur qëndroje në atë mal mbeturinash natyrshëm të lindte pyetja; Ku shkojnë këto mbeturina që hidhen dhe grumbullohen aty ku kalon një lum?
Epo disa kishin zënë vënd sikur kishin hedhur rrënjë në këmbët e Urës së Babrrusë; Pjesa tjetër e mbeturinave avash, avash rrëmbehej nga lumi i cili një pjesë të tyre e linte ndër brigjet ku kalonte, ndërsa pjesa tjetër vazhdonte rrugëtimin për tu bashkuar me lumin e Tiranës në verilindje të Bërxullës dhe nga aty përfundonin në…?? Gjejeni ku….në Ishëm pra në Ishëm. Në këtë lumë i cili famën e ka marrë vetëm prej mbeturinave që transporton e ku grykëderdhja e të cilit tashmë ishte shëndërruar në një depozitë të madhe. Mund të gjeje çfarëdo, ngado dhe gjithandej. Një landfill ilegal i krijuar avash avash.
or askush nuk u ngrit të fliste kur u panë fazat e para të kësaj ndotje asnjë institucion përgjegjës nuk mori masat e duhura të përcaktuara me ligj, e askush nuk ndaloi së hedhuri mbetje.
Ja pra kështu erdhi kjo ndotje!
Jemi ne, të gjithë së bashku, të gjithë aktorët e një shoqërie që e kemi sjellë këtë situate.
- E kemi sjellë ne me mbeturinat tona urbane, me derdhjen e tyre kudo përveçse vëndin e duhur;
- E kemi sjellë me vendosjen në administratë të personave që nuk punojnë
- E kemi sjellë ne me papërgjegjshmërinë tonë qytetare, duke mos e ngritur zërin kundër atyre që ndotin;
- E kemi sjellë duke mos e ngritur zërin ndaj autoriteteve përgjegjëse për marrjen e masave të duhura;
- E kemi sjellë ne pak nga pak me veprimet dhe mos veprimet tona!
Duke u rikthyer në strumbullarin e të gjithave kuptojmë shumë qartë se Shqipëria nuk mund të pastrohet vetëm me një ditë!
Shqipëria duhet të pastrohet çdo ditë, e po çdo ditë duhet të mësojmë të mos i hedhim mbeturinat vënd e pa vënd.
Çdo ditë duhet ta ngrejmë zërin për të kërkuar llogari rreth atyre që ndotin ambjentin, e po çdo ditë duhet t’iu kërkojmë autoriteteve përgjegjëse të ngrihen, të zgjohen nga gjumi e të bëjnë detyrën e tyre.
Çdo ditë po ashtu si i krijuam, i lejuam të jenë gjithandej dhe po pranojmë të jetojmë me këto mbeturina, po çdo ditë duhet t’i heqim t’i pastrojmë e të refuzojmë kategorikisht të kthyerit e Shqipërisë në një kosh të madh mbeturinash!!!